|
ASNN - Goran Boshkoviç hedh firmën për Vllazninë: “Vij për titull”. Malazezi që ka luajtur me Buduçnostin, një njohje e vjetër e kundërshtarit të sotëm të kuqebluve në finalen e Superkupës, pra Studentit, ka të dhëna të mira që premtojnë për t’i ndihmuar shkodranët për trofe. Vllaznia në volejboll për meshkuj, në prag të finales së Superkupës së Shqipërisë, e cila do të zhvillohet sot pasdite në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, në ora 18:00, ka shtuar zyrtarisht radhët e saj.
Pikërisht dje ka hedhur zyrtarisht firmë në kontratë me Vllazninë një nga volejbollistët e ardhur nga Mali i Zi. Bëhet fjalë për Goran Boshkoviç. Malazezi është i datëlindjes 08.06.1994 dhe vjen nga ekipi i Buduçnost. Madje duhet të jetë lojtar që njihet nga kundërshtari i drejtpërdrejtë i Studentit në këtë sezon, sepse vitin e kaluar, skuadra e Ylli Tomorrit, Buduçnostin dhe Boshkoviçin e ka pasur kundërshtar në Ligën Rajonale Ballkanike.
Pa thënë që herë pas here, Studenti ka bërë dhe ndeshje miqësore me malazezët. Mirëpo Vllaznia ka qenë më e shkathët në marrjen e këtij lojtari, ndërsa të dhënat e tij duken shumë të mira dhe po ashtu duket se kanë të bëjnë me një volejbollist shumë cilësor. Fakti që sezonin e kaluar ka qenë kapiteni i ekipit kombëtar të Nën-19-vjeçarëve të Malit të Zi flet vetë për këtë volejbollist. Gjërat kësisoj janë në rrugë të mbarë për Vllazninë e volejbollit.
Afrimi i një sponsori, emri i të cilit ende nuk është bërë i ditur nga ana e klubit shkodran, ka rregulluar shumë gjëra në këtë ekip, që është pretendent për titullin “kampion”. Por jo vetëm kaq, por është pretendent për Superkupën e Shqipërisë, apo dhe për Kupën e Shqipërisë, finalet e të cilit do të zhvillohen në Tiranë, më 7 dhe 8 shkurt 2014. Vetë Boshkoviç, duke folur shkurt për mediat sportive, ka thënë: "Kam ardhur tek Vllaznia nga që e di se ajo lufton për të fituar titullin “kampion” këtë sezon”.
“Dhe prandaj do të bëj çmos për ta ndihmuar këtë skuadër në arritjen e këtij objektivi", - ka përfunduar malazezi. Për volejbollistin tjetër që është në provë, bëhet fjalë për një malazez me origjinë sllovene, drejtuesit e skuadrës ende nuk kanë vendosur. Megjithatë në ditët e ardhshme do të sqarohet fakti nëse ai do firmosë, apo jo me Vllazninë, ashtu siç bëri Boshkoviç.
Goran Boskovic
Categories: None
The words you entered did not match the given text. Please try again.
Oops!
Oops, you forgot something.