|
FSHV-ja konfirmon se këtë vit nuk do të marrë pjesë në turnetë Ballkanike për moshat. Arsyeja është mungesa e anës financiare
Federata Shqiptare e Volejbollit nuk do të marrë pjesë këtë vit në kampionatet Ballkanike për mosha, që zhvillohen gjatë muajve të verës (qershor-korrik-gusht). Lajmin e ka konfirmuar dje për “Sportin shqiptar” sekretari i FSHV-së, Leonard Tase, që shton se ka informuar edhe Federatën Ballkanike të Volejbollit (BVA) për tërheqjen e Shqipërisë nga këto aktivitete. Mungesa e fondeve të mjaftueshme për të përballuar këto turne duket se ka ndikuar në këtë vendim të vështirë por të detyruar të FSHV-së, që mungon për herë të parë në Ballkaniada pas pezullimit të 4 viteve më parë. FSHV-ja ka ende detyrime të prapambetura për të shlyer ndaj të tretëve, ndaj fillimisht do të mbyllë borxhet dhe më pas do të mendojë për Ballkaniadat e 2013-s.
Vendimi Sekretari i FSHV-së, Leonard Tase, pranon se deri në fund është përpjekur që Shqipëria të mos mungojë ne këto turne të rëndësishëm, por ka qenë e pamundur. “Me buxhetin aktual është e pamundur që të vazhdojmë të luajmë në Ballkaniada, të paktën për këtë vit. Zhvillojmë një kampionat të gjatë me të rriturit dhe këtë vit kemi rritur mjaft numrin e ndeshjeve edhe me të rejat. Nuk duam që të heqim kurrsesi dorë nga kampionatet tona kombëtare për mosha, t’i shkurtojmë apo pezullojmë ato për hir të Ballkaniadave. Po ashtu, vëmendja jonë si Federatë është përqendruar në kampionatet e paratërinjve, që nisin këtë fundjavë. Pra, siç e shihni, janë shumë ndeshje, çka do të thotë që edhe shpenzimet janë të shumta, kryesisht në pagesat e gjyqtarëve. Për këtë arsye, u tërhoqëm nga kampionatet Ballkanike,” – tha dje Tase.
Turnetë Janë 6 Kampionate Ballkanike për mosha që organizohen gjatë muajve të verës nga BVA-ja. Përveç 4 turneve të zakonshme, të rinj, të reja, paratërinj dhe paratëreja, këtë vit janë shtuar edhe turnetë e moshës U-14, për herë të parë. Të 6 këto kampionate do të zhvillohen në shtete të ndryshme, por për herë të parë nuk do të dëgjohet himni kuqezi. Shpresa e vetme e Shqipërisë në Ballkaniada është përfaqësimi në BVA-Cup, ose Kupa Ballkanike për skuadra, që zhvillohet në muajin shtator.
Genti Sipir ( Sporti Shqiptar)
Categories: None
The words you entered did not match the given text. Please try again.
Oops!
Oops, you forgot something.